Shkodër – Nisin “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Sot në Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave, organizata “Gruaja tek Gruaja” dhe “Zyra për Djem dhe Burra”, në bashkërendim me anëtar të Mekanizmit të Referimit, Bashkia Shkodër dhe partnerë të shoqërisë civile, hap zyrtarisht Fushatën 16 ditore të Aktivizmit, kundër dhunës me bazë gjinore, që ecën nën sloganin Bëje Botën Portokalli: Dëgjo, Beso, Mbështet!

Puna për eleminimin e dhunës me bazë gjinore dhe ndihma e të mbijetuarave të dhunës, nuk bazohet vetëm në fushata. Kjo punë zhvillohet ditë pas dite, 24 në 24 nga djem dhe vajza profesionistë dhe të përkushtuar.
Por Ditët e Aktivizmit, synojnë të rrisin vetdijësimin e komunitetit për cështjen e dhunës me bazë gjinore, duke u përqëndruar në rëndësinë e parandalimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe angazhimit të djemve dhe burrave, si dhe të gjitha institucioneve, në promovimin e një shoqërie me të drejta të barabarta.

Koncepti fillestar i aktiviteteve të këtyre ditëve, konsistonte në 25 aktivitete publike që do të realizoheshin në rrugë dhe në institucione të ndryshme, në Bashkitë Shkodër, Pukë, Vau i Dejës dhe Mat.
Me zhvillimet e reja të situatës pandemike që po kalojmë ne dhe e gjithë bota dhe, me urdhëresat e reja të nxjerra nga qeveria , këto aktivitete nuk do të ndalojnë , por janë rikonceptuar për t’u zhvilluar online në mediat sociale që mund të ndiqen në website, llogaritë Facebook, Twitter, si dhe Instagram të “Gruaja tek Gruaja”, gjithashtu edhe disa prej tyre në mediat lokale, të cilat i falenderojmë për bashkëpunimin e përhershëm dhe paraqitjen korrekte dhe njaft profesionale të problematikave që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.

Sic dihet, fushata e sivjetshme nis në një mënyrë të pazakontë për shkak të pandemisë Covid-19, e cila solli fakte dhe tregues të rinj se sa e përhapur dhe sa shqetësim i madh është dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore.

Gjatë kohës së izolimit, gratë ishin të detyruara të qëndronin 24 orë, nën të njëjtën cati me dhunuesin e tyre dhe nën kërcënimin e një pandemie të dyfishtë, duke rritur rastet e dhunës në familje, në krahasim me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar, dhe si rrjedhojë nevojën për të kërkuar ndihmën pranë organizatës “Gruaja tek Gruaja” dhe institucioneve përkatëse.

Nëse i referohemi rasteve që kanë marrë shërbime psiko- ligjore, pranë organizatës tonë, për periudhën Janar-Tetor 2019, janë shënuar 379 raste. Në vijim, krahasimisht me këtë periudhë të një viti më parë janë trajtuar 607 raste, pra qartazi, një dyfishim i rasteve. Sa i takon rasteve të akomoduara pranë Qendrës 48 orëshe të Emergjencës, janë shënuar 36 raste për periudhën Janar – Tetor 2020 , ku krahasimisht me këtë periudhë një vit më parë kanë marrë shërbim 18 raste.

Por startimi i fushatës shoqërohet dhe me disa risi.

Risia e parë e rëndësishme është aprovimi i ligjit 125.
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9669, “PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRDHËNIET FAMILJARE”, ndryshim i cili u bë i mundur pas një lobimi të fortë të organizatave të shoqërisë civile.

Në nenin 10, pika 1, sanksionohet:
Gjykata, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë.
Ndërsa në nenin 10/1, pika 1, sanksionohet:
Pika 1: Në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, urdhërohet dhunuesi të marrë pjesë në programe rehabilitimi psiko-sociale dhe/ose në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është vullneti i mirë i Qeverisë Shqiptare për të luftuar dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, por që patjetër duhet të ndiqet nga veprime të menjëhershme të institucioneve vendore dhe qendrore, për të krijuar infrastrukturën e nevojshme që dhunuesit të mos enden të lirë dhe të pa dënuar.

Një tjetër risi e fushatës është se krahas Bashkisë Shkodër, janë angazhuar institucionalisht edhe tre Bashki të rajonit verior, Bashkia Mat, Pukë dhe Vau Dejës, për të ndërgjegjësuar komunitetin në të gjithë Njësitë Administrative të tyre, për dhunën me bazë gjinore dhe shërbimet e ofruara në ndihmë të viktimave të dhunës.

Në përmbyllje, këto ditë le t’i shërbejnë nxitjes e bashkëpunimit edhe më të mirë të institucioneve lokale e vendore dhe shoqërisë civile.

Fushata jonë, i inkurajon, gratë dhe vajzat, cdo anëtar të komunitetit të denoncojnë, raportojnë dhe kërkojnë ndihmë pranë organizatave dhe cdo institucioni përkatës, ku do të gjejnë një portë të hapur dhe njerëz që i dëgjojnë, besojnë, mbështesin.