Udhëzime për të mbështetur më mirë gratë dhe vajzat viktima të dhunës përgjatë pandemisë #COVID-19

Pandemia aktuale COVID-19 paraqet një shqetësim të madh social dhe ekonomik për të gjithë, duke prekur në mënyrë dispropocionale gratë dhe vajzat për shkak të përhapjes së gjerë të diskriminimit dhe pabarazive gjinore2. Çdo krizë krijon pabarazi dhe përkeqëson krizat ekzistuese, siç janë pabarazitë që prekin grave dhe vajzat. Eshtë e nevojshme që shtetet të përmirësojnë përpjekjet e tyre dhe të rrisin masat për të mbrojtur gratë dhe vajzat viktima të dhunës.

Shtëpia nuk është gjithmonë një vend i sigurt për gratë dhe fëmijët e tyre, veçanërisht gjatë izolimit, pasi nuk kanë mundësi t’i largohen abuzuesve të tyre. Një shqetësim i madh është se rregullat e distancimit shoqëror dhe të kufizimit të vendosura nga qeveritë kanë shkaktuar rreziqe shtesë për viktimat e dhunës në familje.

Këto udhëzime të përgjithshme i drejtohen pushtetit qendror dhe ofruesve të shërbimeve në Shqipëri për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave të vajzave e grave viktima të dhunës, si dhe fëmijëve të tyre, si reagim ndaj efekteve që sjellin masat izoluese si pasojë e shpërthimit të virusit COVID-19. Këto udhëzime këshillohet të zbatohen edhe pasi hiqen masat kufizuese për qytetarët.

Covid-19: Trefishohen thirrjet për ndihmë për dhunë në familje pranë Linjës Kombëtare 116 117 – Shifrat e publikuara nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, tregojnë se Linja Kombëtare për Gratë e Vajzat 116117 ka marrë rreth 2000 telefonata gjatë periudhës së izolimit prej pandemisë 10 mars – 18 Maj, duke shënuar një trefishim të telefonatave në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Po nga të dhënat e këtij rrjeti, rezulton se rreth 534 raste dhune dhe trafikimi janë mbështetur nga organizatat e AWEN, nëpërmjet ofrimit të qindra këshillimeve psikologjike e ligjore në distancë apo me asistencë konkrete ligjore. Rritja më e lartë në kërkesat për ndihmë dhe mbështetje është vënë re në qarkun e Dibrës (125%) Elbasanit (100%), Shkodrës (76%), zonën e Pogradecit (58%) dhe Durrësit (50%). Vetëm gjatë muajit Maj, në ditë të caktuara Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar deri në 6 UMM në ditë.

Organizatat anëtare të AWEN kanë vënë re një shtim shumë domethënës të rasteve që kanë kërkuar ndihmë gjatë periudhës së karantinës krahasuar me muajt janar dhe shkurt apo me të njëjtën periudhë në vitin parardhës. Kërkesat për ndihmë kanë të bëjnë kryesisht me hapat që mund të ndërmarrin nëse dhuna përsëritet apo shtohet gjatë izolimit, vërtetim i Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe lëshim i Urdhrit të Mbrojtjes, zgjatje të Urdhrit të Mbrojtjes, denoncime të rasteve të dhunës, mbështetje psikologjike dhe këshillim lidhur me si ta mbajnë nën kontroll situatën, këshillim lidhur me shëndetin mendor të rënduar për shkak të izolimit dhe frikës për episode dhune, etj.

Sipas AWEN, përqindja e denoncimeve/raportimeve në polici nuk paraqet situatën reale të dhunës në familje, pasi shumë viktima dhue nuk kanë kërkuar ndihmë për arsye të ndryshme, si: mungesa e aksesit në informacion për shkak të izolimit; viktima dhe dhunuesi jetojnë në të njëjtën banesë dhe lëvizjet e saj kanë qenë të monitoruara nga dhunuesi; kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në përgjithësi dhe frikës nga sanksionet administrative dhe penale në rast lëvizjeje; mungesa e një strehe tjetër alternative, etj.

Pavarësisht izolimit si pasojë e epidemisë së Covid-19, organizatatat anëtare të AWEN (10 organizata që punojnë kryesisht në 8 rajone të vendit (Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Durrës, Sarandë, Pogradec, Peshkopi) dhe disa prej tyre kanë edhe mbulim kombëtar për shërbime lidhur me viktimat e dhunës dhe trafikimit) kanë vijuar aktivitetin dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje dhe viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit dhe fëmijët e tyre. Prej datës 10 Prill 2020, bazuar në Urdhrin Nr. 254 të MShMS në strehëzat e organizatave që ofrojnë shërbim strehimi po zbatohet “Protokolli i emergjencës COVID-19 për strehëzat”.

Gjatë kësaj periudhe, organizatat kanë vendosur në dispozicion të publikut numrat e kontaktit të specialisteve (psikolog, avokat, punonjës social) të cilët kanë ofruar shërbimet përkatëse nëpërmjet telefonit në oraret 08.00-17.00 ose edhe 24 orë/7ditë. Përpos këshillimit psikologjik e ligjor është ofruar shërbim me përfaqësim në gjykatë për pajisjen me urdhra mbrojtje, si dhe mbështetje psikologjike në komisariatet e policisë për viktimat e dhunës, etj. Gjithashtu, janë referuar në njësitë administrative përkatëse. si dhe ndihmuar konkretisht me paketa ushqimore shumë gra viktima të dhunës në familje të cilat po përballen me vështirësi ekonomike.

Për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të grave dhe vajzave viktima të dhunës, Qeveria e Shqipërisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të marrë parasysh sa vijon:
Parandalimi dhe shërbimet mbështetëse të ofruara nga OJF-të e grave dhe shërbimet e tjera shtetërore duhet të deklarohen shërbime thelbësore për t’i lejuar ata të funksionojnë me kapacitet të plotë.

Ofrimi i mbështetjes financiare për OJF-të e grave që kryejnë shërbime mbështetëse jetike, siç janë: Linja Kombëtare 116 117, ndihma për gratë, strehëzat e grave, shërbime këshillimi për gratë; shërbime ligjore; menaxhim dhe referim i rasteve në nevojë, etj.

Angazhimi i vazhdueshëm me OJF-të e grave për të planifikuar përgjigjen ndaj krizës COVID-19, në planifikimin e masave kufizuese dhe heqjen e këtyre masave.

Në konsultim me OJF-të e grave zbatimi i protokolleve emergjente për strehëzat për viktimat e dhunës, për të adresuar sfidat e pandemisë.

Bashkëpunimi me OJF-të e grave dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile për t’iu përgjigjur nevojave të grupeve që janë më të rrezikuar, siç janë: gratë me aftësi të kufizuara, gratë rome e egjiptiane, gratë që jetojnë në zona rurale, gratë e moshuara që jetojnë vetëm, gratë kryefamiljare, etj.

Vazhdoni t’u përmbaheni standardeve të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit) veçanërisht në kohë krize.

Të mblidhen të dhëna dhe statistika gjinore për krijimin e politikave të shëndosha. Ka nevojë për një vlerësim të shpejtë kombëtar nën një këndvështrim gjinor, lidhur me nevojat dhe përparësitë që u duhen dhënë grave viktima të dhunës dhe grupeve të pafavorizuara.

Të sigurohen udhëzime të qarta dhe procedura standarde të funksionimit për të gjitha institucionet shtetërore (shëndetësia, arsimi, puna sociale, policia) në mënyrë që ata të mund të japin një përgjigje të ndjeshme gjinore për viktimat e dhunës.

Të sigurohet zbatimi i rreptësishëm i protokolleve nga profesionistë të kujdesit shëndetësor, punonjës socialë, punonjës të policisë dhe institucioneve të tjera të përfshira, për ruajtjen e konfidencialitetit dhe detajeve për vendndodhjen e strehëzave.

Ndërmarrja e fushatave të ndryshme ndërgjegjësuese (në internet ose duke përdorur platforma të tjera) për të informuar qytetarët për shërbimet në dispozicion për gratë dhe vajzat viktima të dhunës.

Udhëzime për të mbështetur më mirë gratë dhe vajzat viktima të dhunës:

Gratë dhe fëmijët e tyre që duhet të akomodohen në një strehëz, ose shërbime të tjera, duhet të testohen me përparësi për COVID-19.

Të shpërndahen mjaftueshëm dhe pa pagesë, pajisje mbrojtëse (të tilla si maska, doreza) në shërbimet mbështetëse për gratë (strehëzat e grave, shërbimet e këshillimit të grave).

Në bashkëpunim me njësitë administrative/bashkitë, të sigurohen kapacitete të mjaftueshme shtretërish për viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre, të cilat nuk mund të pranohen në strehëzat e grave (për shembull përdorimi i hoteleve me pritje, apartamente falas).

Duhet të sigurohet qasja sa më e lehtë e grave në shërbime lidhur me kontrollin e lindjeve duke mundësuar abortin, si dhe masat e nevojshme lidhur me shëndetin riprodhues.

Koordinimi i dorëzimit të ilaçeve dhe ushqimeve për grupet më të cënuara dhe të marxhinalizuara të grave.

Udhëzimet që Ministria e Drejtësisë dhe Policia e Shtetit duhet të marrin parasysh kur mbështesin viktimat e dhunës:

Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje duhet të adresohen me përparësi nga gjykatat, dhe duhet të trajtohen si “raste urgjente” nga gjykatat.

Të regjistrohen dhe të mbahen shënime të vazhdueshme të të gjitha kontakteve (thirrje telefonike apo prani fizike) në komisariate për të raportuar rastet e dhunës.

Të realizohen fushata publike për të informuar popullatën për shërbimet ligjore që vazhdojnë të ofrohen për të mbështetur më mirë viktimat e dhunës.

Në rastet e dhunës së raportuar të dhunës në familje, të zbatohet rreptësisht ‘Protokolli për funksionimin e qendrave publike dhe jo publike të trajtimit të viktimave të dhunës dhe trafikimit gjatë periudhës së pandemisë së COVID 19.

Rritje e dënimeve për dhunën në familje dhe dhunën seksuale, si dhe dhunën ndaj fëmijëve, për gjithë kohëzgjatjen e masave kufizuese.

Urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrat e mbrojtjes duhet të lëshohen menjëherë për të siguruar mbrojtjen e grave dhe vajzave viktima të dhunës.

Fëmijët e viktimave të dhunës duhet të përfshihen gjithnjë në këto urdhra mbrojtjeje. Urdhrat mbrojtës afatshkurtër duhet të zëvendësohen me urdhra mbrojtës afatgjatë. Procedurat e vlerësimit të rrezikut duhet të bëhen rast pas rasti.

Ky udhëzues është përgatitur nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), Gruaja tek Gruaja, Shkodër (GTG) dhe Rrjeti WAVE, në kuadër të Programit Rajonal të BE-së dhe UN Women “Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, i cili synon t’i japë fund diskriminimit me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij udhëzuesi nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e UN Women, Bordit Ekzekutiv të saj apo Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Leave a Comment