11thFeb

TË PARANDALOJMË DHUNËN DUKE DENONCUAR “NGACMIMIN SEKSUAL”

Organizata “Gruaja tek Gruaja” me anë të kësaj deklarate publike po përcjell me shqetësim një tjetër
lajm tronditës të denoncuar dhe publikuar sot në rrjetet sociale të një oficeri policie në detyrë në
Gruemirë të Malësisë së Madhe që ka tentuar të abuzojë seksualisht me një minorene 15 vjecare.
Ndërkohë që sot, E Hënë, datë 11.02.2019, mbështetëm reagimin publik të studentëve aktivistë
lidhur me ngjarjen e abuzimit seksual të të miturës 13 vjecare në qytetin e Kavajës, denoncohet një
tjetër rast abuzimi me një minorene 15 vjeçare që ngacmohet seksualisht, këtë radhë jo nga
bashkëmoshatarë të saj, por nga një drejtues i policisë në Malësi të Madhe.

Aktualisht, “Gruaja tek Gruaja”, po ndjek nga afër zhvillimet e ngjarjes në Malësi të Madhe, duke
kontaktuar me të gjithë organet përgjegjëse dhe institucionet e varësisë të Bashkisë Malësi e Madhe,
ndërkohë që ka shprehur gatshmërinë për të ofruar mbështetjen e saj në ndihmë të vajzës dhe
familjes së saj.

Marr shkas nga ngjarjet e ndodhura dhe të përsëritura duam të inkurajojmë të rejat dhe të rinjtë:
denonconi rastin e kërcënimeve ose të ngacmimeve të përsëritura pranë organeve përgjegjëse, në
media duke përdorur cdo lloj forme apo mjeti të tillë si: rrjetet sociale, linjën kombëtare 116 117 apo
platforma online si dhe t’i drejtoheni cdo organizate të shoqërisë civile që ofron shërbime të
specializuara në mbështetje të fëmijëve, grave dhe vajzave viktima të dhunës me qëllim që t’i themi
JO kulturës së heshtjes dhe dhunimit dhe të marrim masa të menjëhershme në parandalimin e
dhunës.

Duam të theksojmë edhe njëherë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të shoqërisë me
qëllim rritjen e denoncimeve të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, në të gjitha format e saj,
pavarësisht statusit social, prejardhjes, kulturës, apo funksionit publik të dhunuesit.
Ndaj u bëmë thirrje publike të gjithë strukturave shtetërore të denoncojnë dhe raportojnë cdo rast
dhune, të ushtrojnë detyrën si funksionarë dhe qytetarë të shtetit dhe të mos abuzojnë në asnjë rast
me të, të mos tolerojnë asnjë nga rastet e dhunës apo abuzimit të fëmijëve, grave dhe vajzave por të
garantojnë zbatimin e ligjit si dhe të jenë aleat në luftën e përbashkët të parandalimit të dhunës me
baze gjinore.

Po kështu parashikimi i veprës penale “Përndjekja” në Kodin tonë Penal, ka karakter ndëshkues, por
edhe parandalues, pasi denoncimi në këtë fazë parandalon përshkallëzimin e dhunës më tej.
Ngacmimet e përsëritura janë shenjat e para që duhet të na bëjnë të gjithëve të reagojmë pasi kur
dhuna përshkallëzohet mund të jetë shumë vonë.

Ju bëjmë thirrje të kërkoni ndihmë pranë organizatës ”Gruaja tek Gruaja”, e cila kontribuon në
reduktimin e dhunës në familje dhe rritjen e mirëqënies së grave dhe vajzave nëpërmjet mbështetjes
së viktimave të dhunës në familje përmes ofrimit të shërbimeve psiko-sociale për familjen:

  •  Asistencë psikologjike për gra dhe vajza viktima të dhunës në familje
  •  Konsulencë juridike dhe përfaqësim ligjor
  •  Strehim emergjent 48 orësh për viktimat e dhunës në familje
  •  Këshillim psikologjik për djem dhe burra të dhunshëm ( Zyra për Djem dhe Burra/ ZDB)

Kërkoni Ndihmë!
TEL: +355 222 411 54 / +355 693 310 172 / +355 69 60 90 527
EMAIL: info@gruajatekgruaja@gmail.org
ORARI: E Henë – E Premte | 9:00 – 17:00

Leave a Comment