10thNov

Shërbimi psiko-social-“Gruaja tek Gruaja”: Izolimi nga pandemia rriti rastet e dhunës në Shkodër.

Shërbimet psiko-sociale dhe juridike

Në këtë kohën e pandemisë globale COVID-19, shtëpia supozohet të ishte vendi më i sigurt për të gjithë. Dhuna në familje ka tendencë të rritet gjatë krizave, dhe pandemia COVID-19 e dëshmoi një tendencë të tillë.
Nëse i referohemi shërbimeve psiko-sociale pranë “Gruaja tek Gruaja”, gjatë periudhës së pandemisë me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, të dhënat tregojnë se janë shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje.
Bazuar në informacionin statistikor të organizatës “Gruaja tek Gruaja”, pandemia Covid-19, ka rritur numrin e rasteve të të mbijetuarve të dhunës në familje. Sipas statistikave, gjatë muajve Janar-Tetor 2019, u mbështetën me këshillim psiko-social 338 gra dhe vajza të cilat i’u drejtuan organizatës “Gruaja tek Gruaja”, për ndihmë, ndërsa nëse i referohemi periudhës Janar- Tetor 2020, këshillimi psiko-social 499 gra dhe vajza përfituan nga ky shërbim. Edhe pse gjatë këtyre muajve të pandemisë kemi patur shumë raste të grave dhe vajzave që kanë kërkuar mbështetje psikologjike dhe asistencë ligjore, ka ende shumë raste të pa raportuara për shkak se pandemia e ka vështirësuar mundësinë që personat që përjetojnë dhunë në familje, të mund t’a raportojnë atë.

Strehëza e Emergjencës “Gruaja tek Gruaja”

Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, Qeveria e Shqipërisë mori një sërë masash kufizuese për të parandaluar përhapjen e tij duke urdhëruar mbylljen e qëndrave të emergjencës dhe ato të qëndrave rezidenciale të mos pranonin raste të reja përveç atyre ekzistueseve. Nisur nga kjo, shumë gra dhe vajza, vazhduan të qëndrojnë në shtëpi me burrat e tyre abuziv, duke mos patur rrugëdalje tjetër. Në muajin Maj 2020, qeveria lehtësoi masat duke lejuar të sigurohet strehim në çdo kohë që paraqitej e nevojshme për t’i ardhur në ndihmë grave dhe vajzave në situatë dhune. Bazuar në informacionin statistikor të organizatës “Gruaja tek Gruaja”, numri i viktimave që janë strehuar këtë vit tek Strehëza e Emergjencës 48-orëshe është shumë herë më i lartë se vitin e kaluar ku u strehuan 7 gra me 16 fëmijë, ndërkohë që këtë vit përfituan nga ky shërbim 12 gra me 24 fëmijë.

Situata pandemike e COVID-19 vazhdon të jetë shqetësuese. Kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit.
Një nga programet e organizatës sonë gjatë këtyre muajve ka qenë dhe mbështetja financiarisht për këtë kategori, duke i mundësuar inserimin në punë. Ndërkohë, stafi i organizatës “Gruaja në Gruaja” është kujdesur për inserimin e 4 përfituesve në punë pasi gjendja e tyre ekonomike ishte shumë e vështirë dhe nevoja për të patur një punë ishte imediate.

Një tjetër aspekt pozitiv, në kuadër të mbështetjes ndërdisiplinare gjatë këtyre muajve ishte dhe ofrimi i kurseve të formimit profesional. Kjo me qëllim për t’i fuqizuar gratë dhe vajzat në tregun e punës dhe për të rritur rolin e tyre në familje duke i ndihmuar të sigurojnë të ardhura.
Pas vlerësimit të nevojave dhe dëshirave të tyre nga organizata, 4 përfituese janë regjistruar në kursin për estetikë / parukeri dhe gjithashtu 4 përfitues u bashkuan në kursin për stilim-make-up.

Leave a Comment