Asistencë Psikologjike

Një staf i specializuar psikologësh siguron asistencë psikologjike për gra dhe vajza viktima të dhunës në familje (mbeshtetje emocionale, këshillim ballë për ballë, këshillim nëpërmjet linjës telefonike, terapi individuale dhe këshillim grupi) për viktimat e dhunës dhe trafikimit individualisht bazuar në gjendjen dhe kushtet specifike të viktimës.Këshillimi zhvillohet në ambjente të posaçme pranë qendrës “Gruaja tek Gruaja” në bazë të standarteve të shërbimit të këshillimit. Në numrin tone të telefonit 022241154 është një personel i trajnuar në menaxhimin e rasteve të viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit që mundëson këshillim nëpërmjet telefonit, ndërsa informacionet janë tërësisht konfidenciale.

Strehim Emergjent

Strehëza emergjente në ndihmë të grave, vajza dhe fëmijëve të dhunuar është e vetmja qendër pritëse në të gjithë veriun e Shqipërisë. E hapur në Shtator të vitit 2015 si pjesë e organizatës “Gruaja tek Gruaja” mbështetur nga Bashkia Shkodër, IAMANEH, Austrian Development Cooperation.Kjo qendër është një nga shërbimet sociale më të rëndësishme në të gjithë veriun e Shqipërisë që ofron 48 orë strehim të sigurtë dhe të besueshëm për gratë, vajzat dhe fëmijët viktima të abuzimit, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të situatave të dhunshme.

Strehëza e emergjencës siguron:
• Strehim emergjent
• Ushqim dhe përkujdesje
• Këshillim individual dhe terapi në grup për viktima të abuzimit
• Asistencë ligjore
• Plan shpëtimi
• Menaxhim dhe referim rastesh

Qendra për viktimat e dhunës në familje dhe llojet e shërbimit janë në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.505, datë 13. 07. 2011 për “ Standartet e Shërbimeve Të Përkujdesit Shoqërorë për Viktimat e Dhunës në Familje, në Qëndrat Rezidenciale Publike dhe Jopublike  ”, Strehëza është një ambjent i sigurtë për gra, vajza dhe fëmijë viktima të dhunës në familje i monitoruar 24 orë nga një sistem kamerash.Ajo ka nje kapacitet prej 5 shtreterish.Krahas kësaj kjo qendër emergjence shërben efektivisht në thyerjen e menjëhershme të ciklit të dhunës ekstreme në partneritet me pushtetin lokal dhe të gjithë institucionet përgjegjëse për implementimin e ligjit të dhunës në familje, pjesë e sistemit të referimit. Qendra emergjente në Shkodër është në linjën e qendrave rezidenciale për viktimat e dhunës në familje në Shqipëri.

Konsulence Juridike dhe Përfaqësim Ligjor

“Gruaja tek Gruaja” ofron asistencë ligjore falas, përfaqësim në gjykatë dhe në organet e administratës publike, për gratë e dhunuara/trafikuara, në çështje civile, penale, administrative, si dhe për çështje të kompensimit të tyre, në rastin e shkaktimit të dëmit.Viktimës së dhunës/trafikimit i ofrohen shërbime juridike falas (këshillim, asistencë si dhe përfaqësim ligjorë) si dhe i jepet ndihmë në përgatitjen e dokumentacionit (kërkesë për Urdhër Mbrojtje, Urdhër i Menjëhershëm Mbrojtje, kërkesë padi, procedura divorci etj).

Qendra Avokatore
Studio Avokatore për gra dhe vajza të dhunuara i brendashkruhet shërbimit të këshillimit ligjorë duke ofruar konsulencë,asistencë dhe mbrojtje juridike falas.Ofrimi i mbrojtjes ligjore realizohet nga studentë të Fakultetit të Drejtësisë,Shkodër,pjesë e klinikës ligjore “Gruaja tek Gruaja” të trajnuar lidhur me zbatimin dhe bërjen realitet të ligjeve me fokus të veçantë gender.
Ata asistojnë viktimat e dhunës në familje duke i informuar mbi procedurat ligjore,afatet kohore proceduriale të proceseve gjyqësore. Po kështu studentët e klinikës ligjore ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese informuese (fshat/qytet,gra/burra,të rinj/të reja  të grupmoshave të ndryshme) lidhur me edukimin ligjorë si dhe ndërmarrin inisiativa e studime të ndryshme lidhur me statusin e punonjësit social/psikologut në procesin gjyqësorë dhe pranë organeve të drejtësisë.

Zyra per Djem dhe Burra

Zyra për Djem dhe Burra (ZDB) është një zyrë e re shërbimesh keshillimi për burrat e dhunshëm që ofrohet për herë të parë në të gjithë Shqipërinë,ndjekur nga “Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem” Tiranë. ZDB synon reduktimin e dhunës në familje me fokus rehabilitimin e dhunuesve, ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve si dhe angazhimin e baballarëve me një përqasje kundër dhunës në familje. Zyra për Djem dhe Burra (ZDB) ka filluar aktivitetin e saj në Korrik të vitit 2014. Ky shërbim lindi si një nevojë e plotësimit të shërbimeve komplementare të ofruara nga organizata “Gruaja tek Gruaja” .ZDB është pjesë e sistemit të referimit në nivel local.Zyra përbëhet nga tre persona (dy këshillues dhe një punonjës social) të specializuar në ofrimin e sherbimeve të këshillimit.
Zyra për Djem dhe Burra ofron:

a.    këshillim individual falas për djem dhe burra me sjellje të dhunshme
b.    asistencë në menaxhimin e kontrollit,konflikteve dhe sjelljeve aggressive
c.    konfidencialitet
d.    ndërgjegjësim përmes medias së shkruar dhe vizive

Kush përfiton nga këshillimi i dhunuesit?
Keshillimi psikologjik, është i vetmi shërbim, nga i cili përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë viktimat dhe dhunuesi. Nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të këshillimit rriten mundësitë që viktimat të mos përjetojnë më dhunë duke ndikuar në përmirësimin e klimës dhe rritjen e sigurisë në familje.
Shërbimi i këshillimit ndihmon drejtpërdrejt dhunuesin, i cili asistohet në një numër të caktuar seancash me qëllim ndërprerjen e akteve të dhunshme. Ky shërbim i vjen në ndihmë edhe të gjithë sitemit të ndërhyrjes në luftën kundër dhunës në familje, duke shtuar një qasje të re në zvogëlimin e fenomenit dhe rritjen e sigurisë për pjestarët e familjeve të prekur nga episode të dhunës.