26thAug

Reagim Publik: Të ndalohen lajmet ku përdoren të dhëna personale të grave dhe vajzave të përfshira!

Reagim Publik: Të ndalohen lajmet ku përdoren të dhëna personale të grave dhe vajzave të përfshira!

Organizata “Gruaja tek Gruaja”- Shkodër, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj për rastet abuzive të njëpasnjëshme të përsëritura, të publikuara në median online të cilat nxisin gjuhën e urrejtjes dhe dhunën bazuar në gjini.

Rasti i fundit, publikuar në portalin “Jeta osh Qejf”, ku shfaqet dhuna e ushtruar nga shtetasja M.Gj, kundrejt shtetases B.Gj, me pretendimin se kjo e fundit kreu marrdhënie seksuale me bashkëshortin e saj, sjell edhe njëherë në vemendje shkeljen flagrante të Kodit të Etikës dhe të drejtës së privatësisë duke publikuar dhe identifikuar lehtësisht viktimën pa marrë parasysh ndikimin e përmasave të ngjarjes në mirëqënien e saj.
Me anë të këtij reagimi publik theksojmë se E drejta e privatësisë mbrohet nga shumë konventa ndërkombëtare si dhe legjislacioni i brendshëm shqiptar. Ndërkohë që Shqipëria ka ngritur një institucion të posaçëm, Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me Ligjin nr.9887, të vitit 2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Sipas Nenit 3 të këtij Ligji:

Me “të dhëna personale”, do të nënkuptohet çdo lloj informacioni që lidhet me një individ të identifikuar ose të identifikueshëm natyror. Elementët e përdorur për identifikimin e një individi, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, janë numra identiteti ose të tjerë faktorë specifikë që lidhen me identitetin e tij fizik, psikologjik, ekonomik, social dhe kulturor etj.

Pavarësisht reagimeve të shumta publike, shpeshherë adresuar edhe Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) , referuar rasteve të tilla të ngjashme, ku në fokus të tyre janë gratë dhe vajzat , historitë e të cilave ju serviren publikut me emër ,mbiemër dhe figurë konstatojmë me keqardhje se nuk është marrë asnjë masë administrative kundrejt këtyre portaleve, aq më pak është respektuar Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri.
Duke marrë parasysh realitetin e medias shqiptare, sot i bëjmë thirrje gazetarëve të respektojnë Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke ulur kësisoj dhe rrezikun potencial të riviktimizimit të viktimave dhe familjarëve të tyre.
Lajme të tilla, të cilat marrin vemendje mediatike duke u përdorur në mënyrë të papërshtatshme nxisin viktimizimin e grave e vajzave të tjera.

Sulmet e lexuesve të cilët nuk kanë lidhje fare me viktimat e përshira në ngjarje janë një tregues i qartë, për mënyrën se si një i panjohur mund të japë mendim me fjalë fyese për jetën private të dikujt tjetër, përmes instrumentit të medias. Ndërkaq, media duhet të përmbahet nga publikimi i identitetit ose detajeve të dhunimit dhe nuk duhet të lejojë komente denigruese mbi shkrime të tilla.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në videon e publikuar, kërkojmë që media të heqë në mënyrë të menjëhershme lajmet që në përmbajtjen e tyre pasqyrojnë të dhëna personale të viktimës si dhe të fshijnë të gjitha komentet fyese të lexuesve në drejtim të saj, duke shmangur paragjykimet e pabaza të lexuesve.
“Gruaja tek Gruaja”, e cila në fokus të saj ka mbrojtjen e të drejtat e grave dhe të vajzave inkurajon gazetarët të nxisin qendrime pozitive dhe të edukojnë publikun, duke hedhur dritë mbi problematikat e dinamikës së kësaj ngjarjeje duke mos u udhëhequr nga sensacionalizmi shoqëruar me detaje joshëse për publikun.

Ne shprehim gatshmërinë tonë për të qënë të hapur për bashkëpunime të cilat synojnë edukimin dhe ndërgjegjësimin e përfaqësuesve të medias në lidhje me raportimin pa cënuar të dhënat personale të individit.

Leave a Comment