Pse Protesta e Zise?!- Deklarate Publike

Vrasja përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave. Viti 2019  hyri i përgjakur, me vajza e gra të vrara nga njerëzit më të afërt. Vetëm në 45 ditët e para, janë vrarë 6 gra. Aktet e dhunës cënojnë një varg të drejtash dhe lirish themelore; përfshirë të drejtën për paprekshmëri mendore, fizike si dhe  sigurinë e personit. Përdorimi i dhunës si një mjet kontrolli dhe ndëshkimi, shoqëruar me aksesin e lehtë ndaj armëve të zjarrit në Shqipëri bën që rreziku i vrasjes së vajzave dhe  grave të jetë përpjestueshmërisht alarmant.

 

Dita – ditës shikojmë një realitet të ri të krimit që i kalon parametrat e arsyes njerëzore dhe kontribuon në mungesën e ndjeshmërisë mbi kanosjen e jetës. Të ndodhur në një situatë dramatike nuk mund të tolerohen më krime të njëpasnjëshme që kanë sjellë pasoja fatale për jetën e grave. Dhuna nuk është e pashmangshme për  institucionet shtetërore të cilat mes detyrimeve ligjore heshtin duke mos artikuluar, marrë përgjegjësi apo propozuar zgjidhje për problemin.

Ndonëse të mbrojtura në ligje gratë dhe vajzat shqiptare nuk arrijnë ta ndjejnë këtë mbrojtje në përditshmërinë e tyre, kur dhuna në famije vazhdon ende të mos konsiderohet vepër e rëndë penale, kur drejtohen të bëjnë një denoncim dhe këshillohen të rikthehen tek dhunuesi, kur dhunuesi shkel urdhërin e mbrojtjes dhe masat ndaj tij janë të papërfillshme, kur dhunuesit nuk detyrohen të marrin shërbime të specializuara për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor që shfaqin, çka bën që situata të mos ndryshojë.

Ky 8 Mars i përket të gjitha vajzave dhe grave, atyre që u përballën me vrasësit, atyre që nuk u mbrojtën dot, atyre që gjithë sistemi, shoqëria nuk i mbrojti dot.

Ky është 8 Marsi vajzave dhe  i grave që çdo ditë luftojnë një betejë me pasiguritë e veta, me burokracitë institucionale, autoritetin brenda familjes, me autoritetin në vendin e punës, me gjykimet dhe paragjykimet e shoqërisë, me kufizimet dhe pengesat e pafundme.

Ky është 8 Marsi i grave dhe burrave që mbështësin gratë, i atyre që me guxim dhe dinjitet jetojnë dhe janë model force dhe frymëzimi për vajzat dhe djemtë e tyre, dhe për të gjithë shoqërinë.

 

Ne sot marshojmë për ti bërë thirrje të gjitha institucioneve se duhet një reagim i fortë dhe i koordinuar për t’i dhënë fund këtij realiteti abuzimesh.

 

Ne sot marshojmë duke mbajtur zi për mungesën e reagimit institucional.

 

Ne sot marshojmë për t’ju çuar mesazhin e duhur atyre që janë duke përjetuar dhunë që nuk mund dhe nuk duhet të heshtin më. #METY

 

Ne sot marshojmë për ti bërë thirrje vetëdijes shoqërore së duhet të jemi të gjithë bashkë, gra e burra, vajza e djem, kundër dhunës dhe abuzimit.

 

Ne kërkojmë që sistemi i mbrojtjes të jetë funksional në Shqipëri për çdo individ!

Ne kërkojmë mosneglizhim të asnjë çështjeje që ka lidhje me dhunën në familje apo abuzimin seksual!

Ne kërkojmë vënien përpara drejtësisë së dhunuesve dhe trajtim të detyrueshëm terapeutik për secilin prej tyre!

Ne kërkojmë rritje të aksesit të grave ndaj shërbimeve që janë të disponueshme për to!

Ne kërkojmë që dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave shqiptare të mos cënohet më!

 

DHUNA NË FAMILJE GJATË VITIT 2018 E PËRKTHYER NË SHIFRA

  • 3690  ose 73.4%e numrit total të viktimave të dhunës gjatë 2018 kanë qënë  gra/vajza ndërsa 1343 ose 26.6% janë burra.
  • Gjatë vitit 2018 janë evidentuar 148raste  të shkeljeve të Urdhrave të Mbrojtjes, ose 19 raste me shumë se gjatë vitit 2017, ku u evidentuan 129 raste.
  • Gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 11 vrasje në familje (përfshi një vrasje foshnjë), 20 viktima kanë humbur jetën.

 

Viktimat gra/ vajza janë bashkëshorte, motra, kunata, nëna, bija dhe numri i madh i tyre tregon qartë për ndikimin gjinor të dhunës.

 

Kjo deklaratë mbështetet nga këto organizata:

Organizata “Të Ndryshëm & Të Barabartë”

AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri

Civil Rights Defenders

Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”

Qendra Psiko – Sociale “Vatra”

YMCA Tirana/Albania

Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë (ShShPP)

Fondacioni Mary Ward Loreto

Shoqata Gratë, Siguri e Paqe

ARSIS

Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara

Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS

Lëvizja Rinore Egjyptiane-Rome

Organizata “Për ju nëna dhe fëmijë”

Qendra “Jona”

Agritra Vizion

Unë Gruaja

Qendra Jobis

GLV Integrimi

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare

Qendra A.L.T.R.I.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Comment