26thMar

Presidentja e GREVIO-s Marceline Naudi: #COVID-19, rrezik për gratë dhe vajzat. Ti ruajmë nga dhunuesit!

Teksa bota po përballet me pandeminë më të frikshmë të 100 viteve të fundit dhe autoritetet në mbarë botën kanë marrë masa drastike duke bërë thirrje për distancim social, Presidentja e GREVIO-s, Marceline Naudi shprehet publikisht se në këtë moment për shumë gra dhe fëmijë, shtëpia nuk është një vend i sigurt! Përmes një deklarate ajo shpreh qendrimin e GREVIO duke i kërkuar shërbimeve për mbrojtje civile që të mos rreshtin së bëri punën e tyre edhe përmes mjeteve alternative siç është telefoni apo interneti, edhe pse sipas zonjës Naudi, kjo situatë është shumë e rrezikshme, kur edhe abuzuesit janë pranë grave të dhunuara në këtë kohë.

Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave, përfshirë Dhunën në Familje, e njohur gjithashtu, si Konventa e Stambollit vazhdon të zbatohet për të gjitha palët, qoftë në kohë konflikti ose pandemie. “Gratë viktima të dhunës në këtë situatë kanë nevojë për më shumë mbështetje prej autoriteteve dhe kjo arrihet përmes një fushate specifike informacioni mbi shërbimet në dispozicion.  Të tjerë janë duke prezantuar formularë aplikimi online për urdhra mbrojtjeje, ndërsa të tjerë akoma kanë përfshirë shërbimet mbështetëse ndaj dhunës në familje tek “shërbimet themelore” që do të ofrohen”- e mbyll deklaratën e saj,  Presidentja e GREVIO-s, Marceline Naudi.

 

Lexoni të plotë deklaratën e Presidentes së GREVIO-s, Marceline Naudi, mbi nevojën për të mbështetur standardet e Konventës së Stambollit gjatë periudhës së pandemisë

24 Mars 2020

Ndërsa gjithnjë e më shumë vende të botës po shkojnë drejt bllokimit të detyrueshëm për të frenuar përhapjen e COVID 19, mendimet tona u drejtohen atyre grave dhe fëmijëve për të cilët shtëpia është një vend frike dhe jo një vend që ofron siguri. Mbrojtja nga virusi, ngadalësimi i përhapjes së tij dhe mundësimi që sistemet tona shëndetësore të përballojnë këtë situatë janë me rëndësi thelbësore. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se kufizimet në lëvizje u ofrojnë abuzuesve fuqi dhe kontroll shtesë. Ne dëgjojmë se disa gra, viktima të dhunës, vendosin të mos kërkojnë kujdes mjekësor nga frika e infektimit. Në disa zona, strehëzat e dhunës në familje tashmë kanë ndaluar të gjitha pranimet, sepse nuk janë të sigurta se si të menaxhojnë rrezikun e infeksionit. Të tjera janë duke i dhënë përparësi mbështetjes nëpërmjet internetit ose telefonit. Por, kjo situatë mbart shumë rreziqe për gratë që janë shumë pranë me abuzuesit e tyre. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se pasojat ekonomike të pandemisë, si humbja e vendit të punës ose e të ardhurave, do t’i godasin shumë gratë, duke sjellë krijimin dhe përkeqësimin e varësisë financiare dhe duke zvogëluar mundësinë e tyre për t’u larguar nga abuzuesit.
Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave, përfshirë Dhunën në Familje, e njohur gjithashtu, si Konventa e Stambollit, vazhdon të zbatohet për të gjitha palët, qoftë në kohë konflikti ose pandemie.

GREVIO u bën thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të siguruar vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve, mbështetjes dhe mbrojtjes për gratë dhe vajzat në rrezik dhune, nëpërmjet përfshirjes së të gjithë aktorëve përkatës: agjencitë e zbatimit të ligjit, shërbimet sociale, sektorin e drejtësisë, shërbimet e specializuara mbështetëse, të gjitha ministritë përkatëse, etj. Na jep shpresë të shohim se shumë autoritete kombëtare po reagojnë ndaj sfidave që kjo pandemi u paraqet grave viktima të dhunës dhe tashmë po punojnë drejt zgjidhjeve inovative. Për shembull, disa shtete janë duke filluar fushata specifike informacioni mbi shërbimet në dispozicion, të tjerë janë duke prezantuar formularë aplikimi online për urdhra mbrojtjeje, ndërsa të tjerë akoma kanë përfshirë shërbimet mbështetëse ndaj dhunës në familje tek “shërbimet themelore” që do të ofrohen. Shumë shërbime mbështetëse po ofrohen online, përfshirë këshillimin psikologjik dhe mbështetjen psiko-sociale. Asnjëherë më parë nuk ka qenë më e madhe nevoja për të siguruar që zgjidhje të tilla inovative të jenë pjesë e një përpjekje të bashkërenduar nga të gjitha ministritë përkatëse dhe organizatat e grave, në një përpjekje të përbashkët për t’i mbajtur gratë dhe fëmijët të sigurt nga dhuna.

Unë u bëj thirrje të gjitha palëve në Konventë që të ndjekin këto hapa. Shpresoj që fryma e rinovuar e solidaritetit që kjo pandemi po krijon në shoqëritë tona, do të shtrihet edhe për gratë e vajzat që janë viktima të dhunës dhe të cilat tani mund të ndjehen akoma më të izoluara me abuzuesit e tyre.

 

 

 

 

 

Leave a Comment