Historiku

Organizata “Gruaja tek Gruaja” u themelua nga një grup grash aktiviste, anëtare të “Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza” të cilat nisën të merren me cështjet e grave që në fillim të viteve 90’ duke bashkëpunuar me gra dhe vajza nga Shkodra në Veri të Shqipërisë.

Pas ndërrimit të sistemit në Shqipëri kishte një realitet krejt të ndryshëm nga ai i sotmi sidomos në zonat e thella malore vecanërisht në Veri të Shqipërisë si pasojë e regjimit komunist 50 vjecar. Në fshatrat përreth Shkodrës mbizotëronte varfëria ekstreme jo vetëm për shkak të papunësisë dhe mungesës së të ardhurave por gjithashtu si pasojë e izolimit, përjashtimit social, traditës, dominimit të rolit të mashkullit në jetën social kulturore, ligjet e pashkruara të kanunit, fenomenit të gjakmarrjes dhe mungesës së informacionit.Në bazë të vlerësimit social të bërë vërehej se gratë dhe vajzat e zonave rurale ishin të detyruara të pranonin situatën e vështirë në të cilën jetonin kryesisht për shkak të mungesës së informacionit. Duke njohur dhe parë realitetin nga afër dhe duke qënë më afër problematikave, nevojave dhe shqetësimeve të komunitetit lindi si domosdoshmëri një qasje e re me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.Nisur nga kjo fokusi i aktiviteteve dhe përqendrimi i punës në këto zona do të kontribuonte në përmirësimin e perceptimeve lidhur me cështje të konsideruara tabu. Kështu nga kontaktet e para nisën takimet e para në komunitet duke u munduar të perfshiheshin gra dhe vajza, të rinj të shkollave të mesme, stafe të qendrave shëndetësore, mësues, bashkëpunëtorë.Nga këto takime erdhën denoncimet e para lidhur me raste konkrete ku objekt ishte dhuna në familje. Fillimisht “Gruaja tek Gruaja” u fokusua në ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, dhe paralelisht me këtë kërkohej mbështetja institucionale për t’i dhënë viktimave mbështetjen bazuar në ligj. Viti 2007 do të shënonte implementimin e ligjit Nr.9669, DATË 18.12.2006 PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE. Kështu do t’u jepej mundësia të gjithë organeve kompetente që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje të gjenin mbështetje në kornizën ligjore njëkohësisht duke përfshirë dhe asistencën e nevojshme dhënë nga shoqëria civile. Fenomeni i dhunës në familje duke qënë tejet kompleks dhe i vështirë për t’u ç’rrenjosur nuk i përkiste vetëm sistemit të drejtësisë për t’a luftuar. Fushatat sensibilizuese në komunitet ishin nisma të përvitshme që për kohën konsideroheshin inisiativa të guximshme por që erdhën si nevojë e komunitetit për të patur informacionin ndonëse fushatat e para përfshinin vetëm shpërndarjen e produkteve ndërgjegjësuese informuese.Të shtyrë nga rastet e shumta të denoncimeve nevojitej ndërmarrja e nismave që kërkonin një angazhim gjithpërfshirës komunitar.Kjo solli nevojën për të ndërhyrë në komunitet dhe kështu hap pas hapi lindi si domosdoshmëri hartimi i programeve të ndërhyrjes të tilla si programi I parandalimit për të rinj të shkollave 9 vjecare, programe trajnimi per zgjidhjen dhe menaxhimin e konflikteve me shkollat e mesme, shërbimet e ofruara për dhunuesit si dhe vijoj puna me vënien në praktikë të sistemit të mekanizmit të referimit për viktimat e dhunës në familje. Gjatë punës lindi nevoja e ngritjes së kapaciteteve të përfaqësuesve të stafeve lokale organizimi i takimeve, tryezave të rrumbullakëta si dhe ëorkshopeve si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Vizioni

“Gruaja tek Gruaja”, një organizatë që siguron shërbimet më cilësore për mbështetjen, fuqizimin dhe promovimin e gruas dhe pikë referimi për politikat sociale lidhur me këto shërbime.

Misioni

Shoqata “Gruaja tek Gruaja” synon fuqizimin e gruas dhe familjes në qarkun Shkodër dhe më gjërë, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve psiko-ligjore dhe strehimit për viktimat e dhunës, këshillimit për djemtë dhe burrat e dhunshëm, fuqizimit ekonomik të grupeve vulnerabël të grave dhe vajzave, rritjes së kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm, informimit dhe edukimit publik dhe avokatësisë duke u udhëhequr nga parimi i mosdiskriminimit.

Përfituesit

–    Gra,vajza,fëmijë të Bashkisë Shkodër, Malësi e Madhe,Pukë, Vau Dejës
–    Burra dhe djem me sjellje agresive /të dhunshme  të Bashkisë Shkodër,Malësi e Madhe,Pukë,Vau Dejës
–    Përfaqësues të institucioneve lokale përgjegjëse për implementimin e ligjit Nr.9669, DATË 18.12.2006  PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE
–    Të rinj të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme të Bashkive Shkodër,Malësi e Madhe,Pukë,Vau Dejës
–    Gra intelektuale (mësues, doktorë, përfaqësues të institucioneve lokale) në Shkodër,Malësi e Madhe,Pukë, Vau Dejës.
–    Studentë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,Fakultetit të Shkencave të Edukimit të degës Cikël I Ulët dhe Master në Mësues

Vullnetarët

Cdo vit, një mesatare prej 6-10 vullnetarësh në muaj japin kontributin e tyre pranë organizatës “Gruaja tek Gruaja”, kryesisht studentë nga Fakulteti i Shkencave Sociale por gjithashtu edhe nxënës të shkollave të mesme, pjesë e klubit të vullnetarëve. Stafi i organizatës “Gruaja tek Gruaja” ka tashmë një eksperiencë të mirë në bashkërendimin e punës me skuadrat vullnetare duke mbështetur dhe ofruar informacionin dhe njohuritë e duhura sipas nevojave dhe kërkesave që vullnetarët kanë duke i bërë dhe pjesë të trajnimeve dhe programeve të ndryshme të ofruara nga organizata. Klubi i vullnetarëve numëron mesatarisht rreth 70 vullnetarë në vit të cilët angazhohen kryesisht gjatë fushatave sensibilizuese dhe lehtësojnë gjithashtu aktivitete të ndryshme me fokus të rinjtë.

organograma