15thNov

Klubi Social Rinor po vjen tek ti: Bashkohu për ndryshim social!

Një numër i konsiderueshëm organizatash të shoqërisë civile në Shqipëri, kanë ditur të eksplorojnë potencialin e të rinjve në shoqëri. Këto të rinj janë përfshirë në veprimtarinë e këtyre organizatave dhe kanë ndihmuar në avancimin dhe përmbushjen e misionit të tyre. Një nga ato është edhe organizata “Gruaja tek Gruaja”, Shkodër e cila ndër vite ka motivuar të rinj duke i përfshirë në radhët e saj si një aset i çmuar duke i dhënë frymë dhe energji cdo iniciative.

Klubi Social Rinor (KSR), është një grupim informal të rinjsh aktivistë, pjesë e organizatës “Gruaja tek Gruaja”, Shkodër, të angazhuar në cështjet e të drejtave të njeriut, duke kontribuar në ndërgjegjësimin dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

I njohur tashmë si Klubi Social Rinor, ky grupim të rinjsh u formalizua në vitin 2017, ndërkohë që aktualisht grupi përbëhet nga 15 të rinj student në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Klubi Social Rinor, përfaqëson një grup të rinjsh mendjehapur që i bashkoi ndjeshmëria ndaj çështjeve sociale, duke gjetur hapësirat dhe mbështetjen e organizatës “Gruaja tek Gruaja”.

Aktivistët e klubit, synojnë të angazhojnë dhe fuqizojnë të rinjtë në Qarkun Shkodër në advokimin e çështjeve të ndryshme me karakter social, duke u fokusuar në tre drejtime strategjike; Informim dhe edukim, ngritje kapacitetesh si dhe advokim në nivel lokal dhe qendror.
Nismat e të rinjve aktivistë, kanë si qëllim mobilizimin, inkurajimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve të tjerë për dhunën me bazë gjinore, si një nga shkeljet e të drejtave të njeriut. Krahas kësaj, klubi shërben si një platformë ku shkëmbehen, ide, mendime, njohuri, përvoja apo edhe opinione duke zbuluar nga dita në ditë realitete të reja.

AKTIVIZËM do të jetë kryefjala e të rinjve të cilët janë zotuar për një komunitet të ndërgjegjshëm në respektimin e të drejtave të njeriut. Përmes përfshirjes së tyre nē aktivitetet ndërgjegjësuese, të rinjtë synojnë angazhimin e qytetarëve aktivë në nivelin e komuniteteve të tyre, në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve konkrete në këto komunitete ku shkelen dhe nuk zbatohen këto të drejta.

Që në fillesat e tij, anëtarët e klubit kanë qënë pjesë vullnetare e nismave ndërgjegjësuese të “Gruaja tek Gruaja”. Në vazhdimësi, klubi ka ideuar dhe organizuar aktivitete të ndryshme duke ngritur zërin në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore.

Përgjatë dy viteve të para të formimit të klubit dhe në vazhdimësi aktivistët u trajnuan për të ngritur kapacitetet e tyre mbi tema që lidhen me barazinë gjinore, ligjin “Për të drejtën e informimit”, përdorimin e fotografisë si një mjet advokimi duke dokumentuar kauzat sociale si dhe metodat e aktivizmit social për të sjellë në vemendje problematikat e komunitetit.

Ndër aktivitetet që karakterizojnë përfshirjen e tyre në kauzat e tyre publike rendisim:

1. Ditët e Aktivizmit -2017
⁃ Performancë në rrugë “Mos ki frike”
⁃ Stendi Informativ në rrugë
⁃ Sesione informuese në shkolla
⁃ Forum studentor “Mitet dhe dhuna”
2. Forum studentor “Maskuliniteti, seksualiteti dhe dhuna”
3. Muaji Mars – 2018
⁃ Marsi i Gruas – Kjo jam Unë/ Aktivitet Ndërgjegjësues
4. Lehtësues në projektin me titull: “Paqja fillon me mua, me shtëpinë time, me shkollën time.”, në zbatimin e aktivitete të ndryshme që lidhen me rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve ndaj fenomenit të radikalizmit dhe esktremizmit të dhunshëm.
⁃ Performanca në rrugë “Bashkë kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”.
5. Aktivitet në Ditën e Evropës – 2018
⁃ Pjesëmarrës në aktivitetin “Për një Shqipëri Evropiane” në mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, parandalimin, ndjekjen penale dhe eleminimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.
6. Angazhim në Javën e Familjes – 2018
⁃ Takim ndërgjegjësuese në Qendrat Komunitare
7. Angazhim në muajin anti-trafikim – Tetor 2018
⁃ Aktivitete informuese dhe sensibilizuese për fëmijët dhe të rinjtë në shkolla të Bashkisë Shkodër, Malësi e Madhe dhe Vau Dejës.
⁃ Performancë në rrugë “M’i ktheni endrrat”
8. Vizitë studimore në organizatën PEN – Kosovë 2018
9. Ditët e Aktivizmit 2018 – Më dëgjo edhe mua/ Të përgjegjshëm së bashku
⁃ Aktivitete në shkolla me të rinjtë; TRIO MARCH për ndërgjegjësim të komunitetit mbi dhunën me bazë gjinore;
⁃ Pjesmarrës në forumin studimor “Barazia gjinore është një e drejtë njerëzore”
⁃ Kafe sociale “Ndikimi i dhunës në familje mbi të rinjtë”
⁃ Ekspozita “Burrat dinë me dashtë”
10. Reagim publik qytetar “ JO do të thotë JO” – Shkurt 2019
11. #Me ty – PROTESTA E ZISE – Mars 2019
12. Angazhim në Javën e Familjes – Maj 2019
13. Projekti “Youth Wave for Human Rights” World Vision
14. Takime informuese për muajin anti-trafikim – Tetor 2019

Edukimi i të rinive është një aspekt i rëndësishëm i misionit të klubit për një shoqëri me mundësi dhe të drejta të barabarta.
Së fundmi, këta të rinj, po zbatojnë projektin me titull: “Parandalimi dhe adresimi i dhunës seksuale tek të rinjtë”, mbështetur nga Lëviz Albania, që ka si qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve mbi dhunën seksuale.

Leave a Comment