12thMar

KINO & DEBAT: “DERI KU KEMI ARRITUR ME BARAZINË GJINORE?”

Ambasada Franceze në Shqipëri, në kuadër të muajit Mars, që shënon Pranverën e Frankofonisë në Shqipëri, zgjodhi Shkodrën për të përcuar mesazhin e edicionit të këtij viti: Barazi Gjinore dhe objektivat e zhvillimit afatgjatë.

Në një mbrëmje frankofone, në prani të Z.Marc Oberon, drejtor i Festivalit Le Temps Presse, si dhe përfaqësuesve të Ambasadës Franceze në Shqipëri, pedagogëve, aktivistëve si dhe studentëve u prezantuan dhe u shfaqën dokumentarë dhe filma me metrazh të shkurtër pranë Qendrës Rinore “ARKA”, Shkodër. Me anë të kinemasë e cila përfaqëson edhe një vlerë të rëndësishme të frankofonisë, ky edicion evidentoi tematikën e barazisë gjinore e cila është një ndër objektivat e zhvillimit të qendrueshëm, pikërisht objektivi nr.5.

“Gruaja tek Gruaja”, si pjesë e programit të sivjetshëm të Pranverës së Frankofonisë 2019, nxitur edhe nga tematika e filmave te shfaqur zhvilloj një debat me të rinjtë dhe të pranishmit në aktivitet me temë: “Deri ku kemi arritur me barazinë gjinore?”.

Në një bisedë të hapur dhe miqësore të pranishmit u nxitën për të reflektuar mbi pabarazinë në rolet dhe të drejtat e grave dhe burrave, sjelljet patriarkale dhe normat sociale që justifikojnë dhunën. E konceptuar si nje kinodebat, krahas filmave të shfaqur, pjesëmarrësit patën mundësi të diskutonin lidhur me rëndësinë e barazisë gjinore, e cila ishte dhe tematika e trajtuar gjatë këtyre filmave me metrazh të shkurtër, të cilët kishin qëllim edukimin, ndërgjegjësimin dhe promovimin e barazisë gjinore kryesisht mes të rinjve.

Zj.Linda Gjyli, si pjesë e panelit në fjalën e saj analizoj nën këndvështrimin gjinor, faktorët përcaktues të pabarazisë gjinore në Shqipëri, duke paraqitur një pamje të gjerë analitike lidhur me kete cështje bazuar edhe në eksperiencën e punës së përditshme të organizatës “Gruaja tek Gruaja”, e cila kontribuon në mënyrë të vazhdueshme në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në shoqëri.

Leave a Comment