11thFeb

“JO do të thotë JO!”- MARSHIM KUNDËR ABUZIMEVE SEKSUALE!

Në vazhdën e deklaratave publike lidhur me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Kavajës, ku një 13 vjeçare është bërë viktimë e dhunës seksuale, “Gruaja tek Gruaja”, i është bashkuar sot reagimit publik qytetar “JO do të thotë JO!” të iniciuar nga studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, dega Psikologji dhe Punë Sociale.

Nën sloganet “Djemtë janë përgjegjës për veprimet e tyre, po aq sa edhe vajzat”, “Po Edukimit, Jo përdhunimit”, “JO do të thotë JO”, “Sikur djemve t’u shpifeshin përdhunimet ashtu sic u shpifen periodat”, studentë dhe aktivistë të “Gruaja tek Gruaja” marshuan nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit drejt Bashkisë Shkodër, ku denoncuan ngjarje të tilla si dhuna seksuale ndaj fëmijëve si të patolerueshme për shoqërinë tonë.

“Ngjarja e Kavajës”, e cila është përcjellë me shqetësim nga qytetarë, media dhe organizma të ndryshme të shoqërisë civile solli në vemendje rëndësinë e ndërgjegjësimit të shoqërisë në mos përligjjen e akteve të tilla, duke kundërshtuar edhe njëherë cdo lloj forme të dhunës në familje, përfshirë këtu edhe atë seksuale.

“Duam të theksojmë domosdoshmërinë e angazhimit të të gjithë strukturave shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo lloj forme e dhunës përfshi këtu edhe atë seksuale, si dhe duam të nxisim raportimin e menjëhershëm të rasteve të tilla pranë qendrës sonë apo pranë organeve përgjegjëse”- tha për të pranishmit Fatjon Taipi, psikolog pranë “Zyrës për Djem dhe Burra”.

Sipas një studimi të lancuar së fundmi nga “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri”- AWEN, 1 në 4 vajza në marrdhënie intime përjetojnë dhunë gjatë adoleshencës.

 

Leave a Comment