Reagimi i koordinuar i dhunës në familje

Në vitin 2006, parlamenti shqiptar miratoi ligjin e  parë për dhunën në familje në Shqipëri. Baza ligjore për adresimin e dhunës është Ligji “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” Nr.9669, datë 18.12.2006. Miratimi dhe hyrja në fuqi e këtij ligji në 2006 dhe amendimeve të tij më 2007 dhe më tej më 2010 është një hap i rëndësishëm drejt plotësimit të kuadrit ligjor në fushën e dhunës në familje. Qëllimi i këtij ligji është të parandalojë dhe pakësojë dhunën në familje në të gjitha format e saj me anë të masave të përshtatshme ligjore, si dhe të garantojë mbrojtjen me mjete ligjore të anëtarëve të familjes që janë objekt i dhunës në familje.
Ligji ka katër objektiva kryesore:

1.    Të krijojë një rrjet të bashkërenduar të autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, dhe për zbutjen e pasojave të dhunës në familje dhe parandalimin e saj;

2.    Të drejtojë përpjekjet për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje;
3.    Të fuqizojë kompetencat e organeve gjyqësore në marrjen e masave mbrojtëse kundër dhunës në familje;

4.    Të sigurojë/garantojë që viktimave të dhunës t’u ofrohen shërbime të shpejta, jo të kushtueshme, dhe të thjeshta nga gjykatat dhe organet e tjera ligj-zbatuese në përputhje me ligjin.
Ligji “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” organizon gjashtë institucione qeveritare në një rrjet të bashkërenduar autoritetesh për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, zbutjen e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje. Autoriteti drejtues sipas këtij ligji është MMSR. Autoritete të tjera përgjegjëse janë Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe njësitë e qeverisjes vendore. Në vitin 2011, në zbatim të nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 8/8 të ligjit “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” (ndryshuar në vitin 2010), Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e “Mekanizmit të bashkërendimit për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare dhe mënyrën e procedimit të tij”. Në bazë të këtij vendimi u krijuan komitete drejtuese përgjegjëse për bashkërendimin e veprimit të organeve kompetente përgjegjëse në nivel vendor dhe për referimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe u përcaktuan përgjegjësitë e ekipeve teknike ndër-dikasteriale dhe të bashkërenduesve vendore për referimin e rasteve të dhunës në kushtet e familjes.

“Gruaja tek Gruaja” është pjesë e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare,në Bashkinë Shkodër, e cila ka për qëllim implementimin në përputhje me zbatimin e Ligjit nr.9669 datë 18.12.2006 “Për Masa Kundër Dhunës në Marrëdhëniet Familjare duke plotësuar në mënyrë efektive nevojat e viktimave të dhunës në familje në nivel vendor.Viktimat mund të përfitojnë shërbime të tilla si: mbështetje psikologjike, mbështetje ligjore,strehim emergjent 48 orësh, këshillim për dhunuesit. 
Bazuar në eksperiencën disa vjeçare të “Gruaja tek Gruaja” si pjesë e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare në Shkodër, ku tashmë operon aktivisht për zgjidhjen e cështjeve të dhunës, kjo organizatë shënon një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera pjesë e këtij mekanizmi të tilla si Bashkia Shkodër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër,Drejtoria Arsimore Shkodër etj në referimin dhe zgjidhjen e rasteve.