8thFeb

Analizë psikologjike mbi ngjarjen e Kavajës- nga Dr.Fatjon Taipi

“Ngjarja e Kavajës” u emërtua nga media, abuzimi i një grupi djemsh të mitur me një vajzë të mitur. Kjo ngjarje ishte e tmerrshme, makabre, e kobshme, e çuditshme, larg logjikës, e padëgjuar. Të gjithë mund të gjykojmë rreth kësaj ngjarje, mund të japim mendime, mund të bëjmë moral madje edhe të mallkojmë. Me të vërtetë është ngjarje ekstremisht e rëndë. Më e rëndë bëhet kur çojmë mendjen tek fëmijët tanë, që i kemi pikë në zemër. Ndjejmë trishtim, pikëllim pastaj na buron një ndjenjë zemërimi i cili na çon drejt rebelimit. Rebelimi në këtë rast është i ç’organizuar, i mjegulllt, pa një objektiv të mirëpërcaktuar. Në këtë kontekst, analiza ime për këtë ngjarje ndikohet dhe kushtëzohet nga këndvështrimi i ngjarjes në kontekstin moral dhe social dhe tek të kuptuarit e dinamikave intrapsikike të viktimave (vajzës dhe djemve).

Në syrin tim human mendoj që janë të lidhura dhe nuk përjashtohen nga njëra-tjetra por unë vendos që të analizoj pjesën e dytë në drejtimin e asaj që bëj çdo ditë si psikolog i specializuar për zhvillimin dhe marrëdhëniet e adoleshentëve. Ngjarja dhe fenomeni lidhet me dy komponentë:  të miturit, të cilët me vetëdije dhe nga trashëgimia jonë biologjike kërkojnë mbrojtje; marrëdhëniet seksuale, të cilat në vetvete përfaqësojnë një tërësi veprimesh, ndjenjash, gjykimesh, tabush, moralizmash etj. Në këtë mish-mash mendimesh dhe përjetimesh i duhet të funksionojë çdo fëmije për të formuar identitetin e tij.

Qëllimi i çdo fëmije në pavetëdijen e tij është për tu rritur. Fëmija imagjinon dhe fantazon për veten sikur është prind, mësues, ndërkohë i duhet të përballet çdo ditë me përgjegjësitë që të jep bota e të rriturve. Përmirësimi i kushteve fizike, teknologjike, sociale nuk ndryshon natyrën bio-psiko-sociale që ka qënia njerëzore, prandaj analiza ime fokusohet në të kuptuarit e dinamikave të viktimave si një qënie e tillë.

Në rastin e viktimës vajzë, trauma mund të jetë më e rëndë. Në rastin konkret, ajo është një vajzë 13-vjeçare, në fillimet e adoleshencës, sapo ka kaluar në fazën e pubertetit. E lëkundur mes “princit imagjinar” të fëmijërisë dhe “princit real” që përfaqëson i dashuri, djali që pëlqen, djali që e emocionon, ajo ndihet nën presionin biologjik dhe emocional që i jep në mënyrë autonome fiziologjia e saj. Ajo nxitet edhe nga një sërë faktorësh të jashtëm mediatik, presion social adoleshentor, dëshirë për të bërë zgjedhje të mëdha për vete,  dhe papritur me vendimet e saj e gjen veten në një marrëdhënie dashurore. Kjo marrëdhënie dashurore është krijuar me vullnetin e saj të amullt. Në të njëjtën kohë kjo marrëdhënie i plotëson një pjesë të nevojave; ndihet më e rritur, më e mbrojtur, redukton konfliktin fiziologjik, mitizon drejt ideales dashurinë. Kjo marrëdhënie është e pranueshme biologjikisht, por i mungon mbështetja dhe udhëheqja prindërore, sepse adoleshentët në këtë moshë nuk preferojnë ti ndajnë me prindërit dhe mësuesit këto procese të brendshme, për vetë faktin se këto instanca janë moralizuese ose thjeshtë nuk kanë ditur të mbështesin dhe të udhëheqin vajzën e vogël, që tashmë po futet në botën e të mëdhenjve. Sot, si psikolog njoh shumë vajza dhe djem 16-vjeçarë që kanë më shumë se dy vite lidhje dashurie, por unë kam njohur djem edhe vajza 13-vjeçarë që para 20 vitesh, që kanë pasur marrëdhënie dashurore. Patjetër, njoh prindër dhe familje që i kanë fejuar vajzat e tyre që në moshën 14-vjeçare, ndonëse besoj se sot nuk vazhdon të jetë më tendencë e kohës. Këto fakte po i rendis për të thënë që marrëdhëniet dashurore dhe seksuale në këtë moshë, nuk janë fenomen i ri, janë të mbështetura në fiziologji, ka një mbështetje kulturore-tradicionale dhe janë të ndikuara nga “morali adoleshentor” sidomos nga morali i rrjeteve sociale dhe promovimi seksual që iu bëhet vajzave adoleshente. Kjo vajzë në mënyrë natyrale nxitet drejt krijimit të marrëdhënies, sepse prindërit nuk i plotësojnë dhe nuk i udhëheqin nevojat reale të saj që janë mbështetja dhe promovimi i ekzistencës si një individ i lirë. Në mos sot, nesër prindërit do vendosin për fatin e saj tashmë me një vendim zyrtar, sepse jo zyrtarisht kanë vendosur gjatë gjithë kohës. Morali shoqëroro-fetar e bën pis “marrëdhënien seksuale”, por për adoleshenten më shumë se e bën pis, e mitizon, e mistifikon, e bën shumë më intriguese se eksperiencat e para masturbuese që mund të ketë eksploruar.  Pa përkrahje, e çoroditur, nën presionin fiziologjik, nën rolin udhëheqës të presionit social, me mbështetjen e sigurisë patologjike që i jep mashkulli i “dashur”, vajza merr një vendim, që është personal. Unë konstatoj që këtë vendim personal e marrin shumë vajza të kësaj moshe dhe për mua është në kufinjtë e një fenomeni “përfshirja seksuale në fazat e para të pubertetit”.  Pyetjes: Çfarë kërkon një vajzë e kësaj moshe në një marrëdhënie, mendoj që e kuptuam më lart.

Në rastin e viktimës djalë, përfshirja e herëshme seksuale nuk quhet traumë, por eksperiencë. Biles, një pjesë e djemve që po e lexojnë tani, e kanë të vështirë të lidhin termat “viktimë” dhe “djalë” sepse nuk e quajnë fare viktimë një djalë 11, 12, 13, 14 vjeç që përfshihet në marrëdhënie seksuale. Në fokus grupet me djem të moshës 12-15 vjeçare që kam zhvilluar, rezulton se shumica e djemve e shprehin hapur dëshirën për tu përfshirë në marrëdhënie seksuale në këtë moshë nëse do iu jepej mundësia. Mes të tjerash ata shprehen se përveç se marrin kënaqësi më shumë se me eksperiencat masturbuese, i bën më të fortë, më burra. Burrëria forcohet kur e hapin edhe me një rreth të ngushtë “shokëror”, sepse ndihmon procesin e identifikimit me botën e të rriturve mashkullorë. Marrëdhëniet seksuale të djemve në këtë moshë, nuk perceptohen anormale, nuk dënohet moralisht nga “rrethi shokëror” përkundrazi shpërblehet. Në reflektimet e tyre, rreth eksperiencës së parë seksuale, shprehin atë që ky rreth ka dashur dhe do të dëgjojë, pas shumë takimesh me mua mund të fokusohen realisht tek ndjesitë, vuajtjet, ankthin, frikën që kanë përjetuar gjatë asaj marrëdhënie seksuale. Të gjitha këto ndjesi i represojnë sepse duan të jenë burra. Një ndër pronat më të shtrenjta të burrërisë janë marrëdhëniet seksuale. Mendimi për të mos humbur pronat mashkullore që i kanë trashëgimi brez pas brezi, jep trysni, i bën të pasigurtë dhë të frikësuar veprojnë duke dashur të plotësojnë sa më shumë dhe sa më shpejt misionet mashkullore. Plotësimi i “misioneve mashkullore” nuk i bën më burra, ndihen të zënë në kurth dhe të tradhëtuar nga trashëgimia mashkullore, bëhen konfuz, pa busull identifikuese që është babai, ata kapen pas çdo rrënje që mund ti nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe. Këto rrënjë janë figurat identifikuese jo atërore, që janë bërë të fortë duke shfrytëzuar popullin, duke trafikuar, duke mposhtur të tjerët dhe që nuk ka tërmet që i rrezikon, por qëndrojnë në krye të palëkundur. Kjo turbullirë psikike i bën djemtë të largohen edhe nga ajo pjesë natyrale dhe biologjike që ka marrëdhënia seksuale. Djemtë nuk i flasin këta tema sepse nuk është traditë, sepse prindërit nuk kanë veshë për të dëgjuar, sepse shkolla nuk ka kurrikula, sepse institucionet fetare rrijnë larg dhe përlyhen shpesh nga “ndyrësira seksuale”, sepse shoqëria civile ndërhyn pa kuptuar dhe shumë arsye të tjera. Në rastet kur vetë djemtë mund të japin mesazhe për këto shqetësime dhe nuk marrin përgjigje, mund të izolohen ose të bëhen agresiv. I vetmi kontakt me përkujdesjen prindërore është kur ata bëhen problematik për familjen.

Ngjarja e Kavajës pasqyron realitetin viktimë-persekutor që ka shoqëria. Kjo ngjarje pasqyron sesi familja, shkolla, institucionet tjera të mbrojtjes sociale, janë shumë larg të kuptuarit të dinamikave adoleshentore. Fakti që një e mitur u shfrytëzua seksualisht nga disa të mitur për një periudhë disa mujore, tregon sesa larg është bota e të rriturve dhe institucionet  nga adoleshentët. Kjo largësi, i bën ata të pasigurtë dhe ndërtojnë realitete me ligjet e tyre, të krijuara ose të huazuara, por gjithmonë jo të mbështetura dhe të udhëhequra nga të rriturit. Kjo ngjarje është e lidhur fort me këta procese identifikuese mashkullore dhe femërore, sidomos me konceptin e pronësisë së marrëdhënies seksuale nga bota mashkullore, prandaj u shfrytëzua, u shit përmes shantazhit. Me shantazh apo jo, koncepti i të shiturit që bënë djemtë është i lidhur me pronësinë e pretenduar te tyre ndaj vajzës.

Djemtë dhe vajzat kërkojnë ndihmë për problemet që kanë me prindërit, me veten, me shkollën, edhe prindërit shqetësohen shumë për mirëqënien e fëmijëve të tyre. Të konsideruarit e fëmijës, gruas, familjes, pronë mashkullore rrezikon shëndetin e shoqërisë. Individët dhe institucionet duhet të angazhohen për të liruar veten nga koncepti i të qenurit “pronë” dhe të drejtohen drejt shërbimeve të specializuara për të rritur mirëqënien personale dhe sensin komunitar.

 

Dr. Fatjon Taipi

Këshillues i Burrave dhe Djemve të Dhunshëm

“Zyra për Djem dhe Burra”

Leave a Comment