18thJun

Aktivisti Pjero Shestani: Kontributi im në stimulimin e aktivizmit rinor.

Pjero Shestani është student i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Pune Sociale, Shkoder. Ndjeshmëria ndaj cështjeve sociale e ka bërë Pjeron që në krye të herës të kërkojë hapësira për të dhënë kontributin e tij në këtë fushë. Rrugëtimi i tij fillon me kërkesën që i bën organizatës “Gruaja tek Gruaja”, për të qënë pjesë vullnetare e nismave të saj ndërgjegjësuese e sensibilizuese. Nisur edhe nga motivimi dhe devotshmëria e Pjeros, “Gruaja tek Gruaja” ndërmerr hapin e krijimit të një strukture të re rinore brenda strukturës së saj, për ti dhënë mundësinë të rinjve si Pjero për tu aktivizuar dhe për të ndërmarrë nisma në komunitet. Që nga tetori i vitit 2017, Pjero ka qenë një pjesë aktive e Klubit Rinor Social, një rrjet informal me 15 aktivistë të rinj. Vizioni i tij si një aktivist ishte gjithmonë të fuqizojë të rinjtë të flasin dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, duke qenë një promovues dhe një qytetar aktiv i fushatave të ndërgjegjësimit të komunitetit.

Kur u njoh me thirrjen “Të Rinjtë për të Drejtat e Njeriut”, ai ishte ndër të parët që solli ide të ndryshme aktivitetesh që mund të realizonim në kuadër të iniciativës që do të ndërmerrnim. Në fakt, disa prej aktiviteteve të projektit “Vala Rinore për të Drejtat e Njeriut” në Shkodër, u konceptuan me kontributin e tij. Pasi kjo nismë filloi fazën e zbatimit, ai ishte ndër aktivistët më të gatshëm për të marrë pjesë dhe për të udhëhequr aktivitetet dhe të rinjtë e përfshirë në projekt. Gjatë implementimit ka spikatur me protagonizmin e tij kryesisht gjatë përformancës së realizuar në kuadër të fushatës së ndërmarrë nga të rinjtë e Qendres Komunitare nr. 5 për të adresuar Barazinë Gjinore, me një performancë në rrugë, të titulluar “Koha ime është tani”, ku ai performon me pantomime rolin e një dhunuesi.

Thuajse në përfundim të projektit “Vala Rinore për të Drejtat e Njeriut” në Shkodër, një tjetër thirrje hapet nga organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri,dhe Pjero vjen me një koncept ide tepër inovative, e cila kalon dy fazat e para të aplikimit.
Dëshira dhe pasioni i tij janë një inspirim për të rinjtë e tjerë të cilët punojnë me Pjeron, të gjithë bashkë në mbrojtje të vlerave dhe të drejtave, në mbrojtje të cështjeve që kërkojnë dashurinë dhe antikonformizmin e Pjeros dhe të rinjve të tjerë si ai.

“Unë mbetem e impresionuar duke pare kontekstin shqiptar me një mendësi patriarkale, Pjero, një djalë, na vjen si model i të rinjve që lufton për të drejtat e njeriut me një ndjeshmëri të vecantë edhe ndaj të drejtave të grave, vajzave dhe fëmijëve. “- Majlinda Angoni

Leave a Comment