25thMar

PROGRAMI I PARANDALIMIT NË GRUPMOSHAT SHKOLLORE 11-14 VJEÇ!-“FREDERIK GJONI”-BËRDICË

Fushata e ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve për parandalimin e dhunës në familje dhe eliminimin e formave të saj,vazhdon.

“Gruaja tek Gruaja”, në kuadër zbatimit të programit 3 vjeçar “Ndërhyrja shumëplanëshe për dhunën në familje në zonën veriore të Shqipërisë” mbështetur dhe financuar nga IAMANEH Schweiz, po implementon programin e parandalimit në shkollë me pjesëmarrjen dhe angazhimin e të rinjve të grupmoshës 11-14 vjeç.

Zbatimi i programit të parandalimit vjen si një bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale, Shkodër, nxënës por edhe psikolog të shkollës të cilët janë në mbështetje të vazhdueshme të aktiviteteve me fokus parandalimin dhe trajtimin e rasteve të cdo lloj forme të dhunës.

Seminaret trajnuese me pjesëmarrjen e të rinjve të klasës së VII-të të shkollës së mesme të bashkuar “Frederik Gjoni”, Bërdicë, sollën një eksperiencë pozitive në lidhje me qasjen mbi parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës parë nga këndvështrimi i fëmijëve.
Nëpërmjet një moduli specifik trajnimi të përbërë nga 8 seanca të rinjtë pjesëmarrës u aftësuan mbi konceptet themelore të dhunës në familje, barazinë gjinore dhe sjelljet jo të dhunshme, si dhe nisën një diskutim rreth kësaj cështjeje përmes një procesi vetëdijesimi, vetë-reflektimi dhe qasje personale.

Gjatë zhvillimit të seancave të këtij cikli të rinjtë të cilët u angazhuan aktivisht patën mundësi të njiheshin me mirë me njëri – tjetrin duke krijuar një frymë të mirë bashkëpunimi dhe ndërveprimi në grup. Përmes një procesi komunikimi ata u nxitën të diskutojnë mbi të drejtat e tyre, zgjidhjen e konflikteve në familje dhe mënyrat e reagimit të komunitetit në rast se ata ndeshen me një situatë të dhunës në familje.

Në përmbyllje të seminareve trajnuese,pjesëmarrësit morën njohuri mbi mënyrat se si ata vetë të mund të krijonin strategji ndërmjetësimi po edhe të ngrinin mekanizma të brendshëm mbrojtës. Krahas kësaj, me lehtësimin e vazhdueshëm të “Gruaja tek Gruaja” mesuesit prane kesaj shkolle ndjekin procesin e motivimit të fëmijëve, sjelljen dhe bashkëveprimin jo të dhunshëm mes tyre, brenda familjes dhe brenda shoqërisë duke punuar me vetë-menaxhimin, vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin social.

Lehtësues: Tonilda Çela/Punonjës Social
Iamaneh Schweiz
Shkolla e Mesme e Bashkuar “Frederik Gjoni”

Leave a Comment